Pushtetari

Sa mori pushtetin
shokët i harroi,
mik veç interesin
ai konsideroi.

-Mos, i thanë shokët,
mos vepro kështu,
shokët nuk largohen
ashtu kuturu.

Qeshi pushtetari,
qeshi edhe qeshi:
-S’e dini pse luga
e di çka ka vegshi.

Published in: on Dhjetor 21, 2015 at 11:36 pm  Lini një Koment  

Burim Bardhit

(Poetit Abdullah Thaçit)

Me “Lumin e dritës”, lozonjaren valë,
pranove të bëhesh pak edhe Lumbardh.

Ah, dhe pak si fshehur, sikur në vegim,
shkove pive ujë mu në atë Burim.

Fshehtas bregut, Drinit, ia vidhje stërkalat.
po kurrë, kurrë Lumbardhit, s’ia ndalje pulëbardhat.

Trenin e ngarkove në vagonë përplot,
të shpërndaje dritë- dashuri në botë.

Tek prisje Ylberin nën mrizin e madh,
vizatove ëndrrën pa brushë, veç me fjalë.

Trohet kur po mblidhje n’Piknikun poetik
ti e pate ditur se ke mund ta kesh mik.

“Anës Drinit” – the- kam parë shumë vegime,
po sikur të nënës, kësaj Kosovës sime.

“Ani, Kosovë, ani”, Ani, Kosovë, ani”,
veç me lotin tënd mbushet oqeani.

“Mes dy dashurish” u rrite dhe ti
një, afër Shqipërisë, tjetra në Shqipëri.

Tash “Vjershat hutaqe” udhëtojnë pa ty
për të hapur dyer dhe me shtatë palë dry’.

“Porta e kufirit’’- s’do ketë kufitar
do jetë veç kalim për secilin shqiptar.

“Një mal me këngë” na dhe nga Mjaltishta
Burim Bardhi i kohës, ti- rrapi nga ahishta.

Published in: on Dhjetor 17, 2015 at 8:59 pm  Lini një Koment  

Portalet

Godasin portalet
Azhurimi s’ndalet,
Titulli me lajmin
Shkup e Shkodër kallin.

Pse me kaq mistere
Veç për një klikim?
Përgjigjet portali,
– Ky s’është faji im.

 

Published in: on Dhjetor 15, 2015 at 9:20 pm  Lini një Koment  

Poltronisti

E nisi ditën fap e fap
Pa asnjë agjendë ditore,
Meqë trapi mbetet trap
Asnjë punë s’i shkon përdore.

“Kam luftuar, doktoruar,
avancuar skajshmërisht,
Pse ky popull i frustruar
më sulmon kaq befasisht?”

Published in: on Dhjetor 15, 2015 at 9:16 pm  Lini një Koment  

Rrena

Nga rrena në rrenë
me rrena jetojmë,
pa  mbaruar e para
të dytën e fillojmë.

Jemi kampionë
me Pinokun shok,
pa rrena karriget
janë elektroshok.

Published in: on Dhjetor 15, 2015 at 9:14 pm  Lini një Koment  

Somnabulët

Nga gjumi zgjohen
Dhe marrin turr,
ecin tërë ditës
si somnabulë.

I pyet populli,
– Pse kështu veproni?
Ata përgjigjen:
– Ky është misioni.

Published in: on Nëntor 23, 2015 at 6:56 pm  Lini një Koment  

Loja

E ndriçuan xixëllonjën me qindra bateri celularësh
Dhe fëmijët u flugën pas saj
Ajo ik e ik
Ata ndiq e ndiq
Kohë kishin,
Pushimet e verës sapo kishin filluar.

Published in: on Korrik 5, 2015 at 6:25 pm  Lini një Koment  

KËNGËT E MILOSAOS

Kënga I

Bota kish ndërruar lisa,
uji i ri në det
kaltronte n`ditn` e re;
por lumbardha e Anakreontit
në Temp rronte e moçme.
Nd`uj një dit` vate te mali
e s`u kthye si e kish zakon.
Veç` që atë s`e thau bora,
s`e përgjaku heshtëza,
po u largua gjersa ra
tek e bardha shpia ime.
Kur n`agim tokë edhe shpi
u zbuluan bashk` me detin,
si hareja që del sysh,
më zgjoi duke fërfëlluar
qelqeve t`dritares.
U pataksa e ruajta jashtë:
rrusht` , pak aguridhe,
dheut tonë i kishin hie;
lule liu të hapura,
n`i tund era e i përzien,
në atë ninull qeshin;
Si ato lule –qielli.
Ti vështroje dhe s`kujtoje
asnjë mbëhi njerëzish.
Kallëzoret nëpër duajt
po këndonin. Dheut huaj
ahere ndër time motra
kisha arritur; mëma ime
emrin tim thosh nëpër shpi.
Një hare më rrodhi kurmit,
si hareja kur te shtrati,
mbrëmanet, vajza e ngrohtë
ndien për të parëzën
sisët që m`i fryhen.

Kënga II

Vreshtat ishin verdhëllore.
Erdh nga mali dhelpëra
Me të lodhurat të bijat,
me të mbaruar të vjelat;
e at`here kur ndër sheshe
fshihet dielli ( si nën tokë
mëmat që kënduan në valle),
kur në Fjokat unë rashë.
E përveshur e e lartë,
me gërshet të pleksur
në një lidhëse të bardhë,
ish te kroi një vash`.Te balli
një mendim i kishte hie.
I lidhur te brezi i kaltër,
mbi truall i çik mandili.
Posa që më ndjejti,
vasha drejt nga unë u suall,
gjifyrë edhe plot hie,
me një të trembur hare.
Trimi : – Vajzë, a m`ep ti një pike ujë?
Vajza: – Sa te duash t`i , bir zoti.
– kuja bije je ti, vashë?
Mos më je nga dheu i huaj?
Kur, djalosh, në Selanik
vajta, vashëzat nuk ishin
në katund me kaq hir.
Në çeret e ndezur,
vucen ajo ngrinte:
-Jam e bijë e Kollogresë,
ngriti ballët e zbuluar.
Duke shkuar asaj udhe,
gjembat që vareshin udhës
s`e gërvishtnin atë çupë:
me llërët përgjakur,
unë nga ballët ia reshtja.
Dy buzë të qeshura,
njëj here të bardhë,
at mbrëmje dukeshim.

Kënga III

Ish te mbrëmja e shën Mërisë.
Vashat kishin lënë lodrat
E te dyert kuvendonin,
se nuk qenë në shtëpi
etërit e vrenjtur.
Kudo niste një nxitim:
ndaheshin ar e kandile,
tek ne pritej nata.
Bija madhështore zonjash
përdorez do luanin
me të nderëm bij bujarësh.
ashtu si engjëjt në qiell,
më të mir` nga njerëzit,
bëjnë veç harenë e tyre.
Dola në Rodh e , te kopshti,
ku po frushullonte elbi,
eca nën ullinjtë.
Posht` te kroi, me katër vasha,
me të bardhë cip kreit,
erdh e bijë e Kollogresë.
Dukeshin kallëz të pjekur.
Vajza : -Fatmirosh ai që na del,
mbi Rodhen e gjethëruar
si flamur i Arbërit!
Fatmiroshe ajo çupë ,
që, e puthur nga e ëma,
do pushojë n`at krah!
Nga do niset, e magjepsur?
Nga veriu si deti,
Apo nga e bardha Jugë?

Kënga IV

Ish e diela menatë
e i biri i zonjës madhe
ngjitej tek e bukura
te m`i lypte një pikë ujë,
se ish etit djegur.
Vetëm e gjeti te vatra,
që më plekëste gërshetin.
Ata duheshin e s`e thoshin.
Vajza, me buzën më gaz:
-Ç`ke që po ikën si era?
-Më presin në roliet.
-Dy mollë të ardhura,
qëndro, se t`i ruajta.
Me një dorë ngritur
mbante mbi veshin e bardhë
leshtë e saj të shpleksur,
kalli tjetërën te gjiri
e më hoqi mollëzët,
më ia vu në doret,
në çeret e ndezur.
Thomni ju, të dashurit,
m`ëmbël ë` të puthurit

VJERSHE E BIJES SE KOLLOGRESE

Nga m`erdh te kurmi gjith` ky gëzim?
Si e pafaj unë zhvishem te shtrati
E zgjohem e hareshme se u zgjova,
si ajo që gdhihet me një fat të bardhë.

Kënga V

Pse të venë në det
mendimet, zemra ime?
Zbardhuan anijezat,
panë këndej e u fshehën…
Erdhi dita e Arbërit!
Doemos do vdesim
në shtrat, në mos rënçim
përpara shtëpive tona,
e nën dhe do na harrojnë
shokët e vëllezërit,
krojet e katundi ynë.
Tani që nata e zezë
me shiun e saj të butë
kudo i përbalti udhët,
hapnie ju derën
tek të përhedhurat çupa
lozin të harruara.
Vasha foremadhja
ma rrëmbeft` nga dora
atë buzëhieshmen
e ma sjelltë mua përpara.
Kanë për t`iu ndezur faqet.
Me atë shenjëzën në mes,
Kur e drojtur të më qeshë.
Veç në sy të shihemi,
pa dhe bota të përmbyset.

Kënga VI

Ra bora mbi det
e ndër leshteriqe zbardhi
kraht` e shqitëzës.
Gjumi mua më lodh :
thuajse trupi më largohet,
si një gruaje që , Marbelës,
mbrëmjes , i largohet,
zhurma e trokashkave
dhe të lehurit e qenve
mbi mullinjtë, e sheh si shuhet
zjarri e ndizet vreshtave.
Jeta ende s`fjet.
O , vasha kryegështenjë
shtratin butë të ma shtronte,
pra të vihej duke tjerrë
gjysmë në terr e në dritë,
me këngë në gojë!
Të harroja se nën borë
biren krojet e të mbjellat
që na mbajnë jetën;
edhe djemtë e zonjave
Samërankut që gumojnë
me tambur vreshtën e largët
e i thonë : – Ne të ruajm.
I kotur do ëndërritja
Se , përdore, fushave
Vemë dhe shtëpitë e njerëzve
na faniten me të aguar
edhe yjt- na lenë;
apo se më zgjidhet kali
dhe shkon te një turmë gra,
që përndahen, veç asaj
që i zë lakun e përtrollëm:
syri i bukur i njeriut,
dhe vështrimi i tij e zbut.
Krahërorin e dërsitur
Ajo e fshin me mandil,
e skuqur se po ma shohin.
Ajo vashë zakonbukur
nuk leu ndër të mëndafshta;
Porse mua, kur zbardh dita,
në një kasolle të lënë
e të hapur ernave,
prej ku duken, nëpër të,
brinja e bardhë,malet, lumi,
fort ma kënda ta kem pranë
vajzën që më mori zemrën;
ajo mua më ka hije.

Kënga VII

Kundrejt kodravet e detit,
dita e kaltër gëzoi
valleve të vashave:
i shohin të dashurit.
Në kët` jetë ç`kemi më ?
Hënëzën e mbrëmjes,
kur te dera ime dalin
vashëzat e bëshme,
motrat e ushtarëve.
Unë tringëllij kitarën,
ato, të përveshura,
lozin e një ëmbëlsi
faqet ua zben.-
Kemi më të mirën ëndërr,
që i sjell trimit vajzën.
Kur shpitë mbyllen, te dera,
në të errët ai e pret,
e ul, prehrin ajo hap :
– Trim, na merr dyzë lajthi.
Ai m`i tregon se ç`bëri
që ta shih e të m`i fliste ;
ajo dëgjon e me sy
ruan një yll e një tjetër,
nuk do t`ike, por dhe trembet.
– Lamtumir`, trim, zgjohet mëma, –
bën ajo buzën më gaz.
– Vashë, puthëmë më parë.
Ajo e resht kryethit,
ai e heq e vasha i bie
dalezë te zverku
e pushton trimi në gji.
– Lamtumir`- Ec me shëndet.
Ai e ruan në të ikur :
u zhduk e njeri s`e pa.
Djali zgjohet e në jetë
atë dit` më rron me mall.

Kënga VIII

Mu në mes të gurëve
mbiu një re manushaqesh,
shenjë e pranverës së bardhë;
me gazmend i venë vesh
zhurmërimësë së lumit.
Pa një re mali me borë
u buthtohet njerëzve :
ata lutin për të korra.
Këtij dimri kam pushuar
si thëllëza te foleja.
Ngriti degt` ulliri i shkundur
edhe vashëza e bukur,
harruar vëllezërve,
duket në valle
vetëm kur unë e dredh.
Botë e madhe, që s`qetohet
ernave dhe fjalëve,
atë e ka si llambadhe
që hieshon shelqërorin,
po që jashta shpis` nuk ndrin.
Kur i ngrija fshehur grackat,
qullur, ullishtave,
sa mezi që merrja frymë
po t`i tundte era vadhët ;
lutja për hirin e mëmës
që të zija mbrëmanet
plot me zoq të gjallë.
Shkonte vasha mespurtekë,
shtija gur e më mallkonte.
Pra që u rrit, – si më rrëmbeu!
Kur e shoh, më ikën mendja,
dridhem e nuk marr dot frymë.
Dita ka diellin që e zbardh
para syve tanë,
porse ç`yll e ruan vashën
edhe mua në kët mall?
Kur un` dal te Shureza,
vucën merr e vjen te lumi,
porse mb`udhë e trembur
kthehet e vështron katundin.
Luleja e celur
një të hënë plot hare,
t`enjten, duke u bërë e bardhë,
ku ta dish a e sheh të dielën.

Kënga IX

Ç`ëndërr të keqe pa trimi!
Dhjetë dit vajza e bëshme,
ndo në arë e ndo në shpi,
rrinte vetëm me gjitonët.
Trimi i paske hypur atit,
të egrit, të tmerrshmit,
te Kroi i Ri t`i jip ujë,
porse ajo, si e kish zakon,
s`vinte më te Kroi i Ri ,
po m`i vate në ëndërrët.
Mbrëmanet, një varg me vasha,
të ardhura prej arave,
në tryeza e t`et të çunit
plot hare u hapën.
S`erdh me to, po tirr në shpi
vajza e mjerë, kaq e dashur,-
si bijtë e të varfërve,
të paveshur, të pangrënë,
thuaj ndarë nga të lumët,
nga zotynë s`shohin mirë,
besën e kanë mbi veten.
Trimi fjeti i helmuar,
në ëndërr pa derën e saj:
te një gur e në shullë,
zgjidhte nga një tufë reze
e m`i vij në prehër.
Ajo ngriti sytë
e më pa te dashurin,
u pruar e uli kryet
e më shkundi rezën,
thuajse pa një të huaj.

Kënga X

Vallja e natës
Së pashkës

Zgjohu trim, gëzuarë!
Zotynë la varrinë,
perëndojnë yjezit,
shuhen zjarret , derdhet ujët,
bota vishet ndër të reja.
Po kështu, zemër e dhemshur,
priresh edhe ti e gëzuar.
Si një ani ngarkuar me trima,
që te mesi i detit shohin
fshanë e dëshiruar,
erdhe gjith` hir e hare,
Po kush të mori më sysh?

Një pjesë e valles

Kush porsiti renë e malit
mon` me shi të na kujtonte?
Zonja e madhe u nxitua
jashtë katundit të vejë,
në një dasmë tok me çupat.
Kishte detin në sy,
hien e shpisë në zemër,
kur na pa djalin e saj
dorëpërdore me një çupë.
Vajza ndjeu nd`eshtërat
gazin t`i përshuhet;
si një mermer që mendon
shihte dhe përpara syvet
dherat i venin e i vinin.
Djali iku e humbi brinjës:
të përlotur ktheu sytë
qiellit që rrethonte dheun
vetëm, se dielli kish rënë,
yjet edhe s`kishin dalë.
Ish si zemër që mërzitet
nga kjo botë e panjohur
e nuk sheh se ku do vejë.
Jeronim De Rada

Gjithë valleja

Ngreu, levendi djalë!
Vajza që ti dashurove
ësht` me ne në vallet.
E di mir`zonja jot ëmë,
ndonëse nuk e thotë,
se ti dole në katund
porsi vera në tryezë
e mbi dhe njeriu me fjalë.

Kënga XI

Duro zemër, e duro
sa duroi mali me borë.
Shkrepëtinë nëntë diej,
zbardhëlluan kumbullat :
trimi nga katundi i largët
doli e i pa menatë
dhe harroi shtëpinë.
-Lumi unë!- thoshte mali.
Si ai qelqi, që m`i fryn,
bjerr ndriçimin nga hukatja,
porse brenda gjithë ndrit,
ashtu është vajz e mjerë.
Ka vetëm të ëmën e t`anë.
Ata e duan. Kujt t`i thotë
„po“, në mos u thëntë atyre?
Ajo le fshatin e quhet
nuse e trimit të huaj.
Po na vjen një ditë e kthjellët,
që t`ulet ashtu në derë,
të më qepë linjëzën.
Vështron detin :
fluturojnë dallëndyshet;
e vihet e më këndon
këngët që i thosha vetë
nd`atë mot që duheshim;
e harron zotin e saj,
me unj kryet e në mend
sjell fytyrën time.
Ja, si bregu i braktisur
gjembave e thellëzave,
ku vinë e ndërtojnë njerzit
një katund plot hijeshi
te luginat gjelbërore,
është malli i trimave.
E stolisur, në mes grave,
vajza del për t`u martuar,
edhe lindin djem sydritë.

Kënga XII

Si suvala e detit
e turbullt` e si një mal,
nuk pyet më për anijen,
ashtu dhe gratë në krua,
o te lumi, o per shkarpa,
flasin për çupën e varfër,
që i biri i zonjës madhe
e don edhe dashurohet.
Vasha rrinte gjithë turp
vetëm me gjitonet;
ato ktheheshin nga puna
mbrëmanet e veç për linja
flisnin, për shami e fustane.
Një të dielë menatë
e gjeta në Korqiollo :
-Trim , ti mua në më do fort;
udhëve të mos më pjekësh,
ndër shoqe mos më vështrosh.
– Vashë, malli im i parë,
unë i mjeri s`e pandeha
që kështu të bëja dhunë.
– Mos u qaj, o ti bir zoti
mos bëj që të jem fajtore
për lotët që s´duhen derdhur:
s`dëmtove të varfërën,
as helmove çupat,
njeriu s`i bëre keq.

VJERSHE E BIJES SE KOLLOGRESE

Në atë katund ku sonte do më arish,
s’e ke të folët tonë, s’e ke shpinë;
atje s’ë kopshti yt, atje s’ke ndere;
o zemërgur, përse nuk rri me ne?

Kënga XIII

Valle

Me që, zot , do të na lësh,
vafsh si një yll që dritën
nuk e bjerr udhës së tij.
Bir, me helm të ritë e tu
mos qoftë përzier.
Atë dit` që të na vish,
qoftë i butë dimëri,
me ullinj edhe me qumësht.
Dhe bija të bëshme
mëmat më martofshin shumë
me djema të zgjedhur.
Të na vish si nga larg vijnë
fjalët e të dashurve,
si mespërmes fletëve
të ides që kam te dera,
duket më të aguar Shenjëza
e më gëzon zemrën.
Era e lehtë që tund fletët,
gjumin njerëzve u letoftë
ndaj të gdhiri,
edhe unë i vihem punës,
që të rrit fëmijët.
Sjellsh ti një ushtri fatmirë,
të na i hapë këto brigje
lirisë që borëm.
Në të veshura të zeza,
nuseja kurrë mos daltë;
te vallja që dridhet,
zonjat me djemthit në duar
buthtohen edhe vështrojnë;
tërë gjëria të mbledhur
njihen plot hare;
lule e ver` mësallave,
mall për të këcyer
me trimin që e ke.
Ti te hieja e shtëpis` sate,
nën të huajt` kur të rrish,
ç`jemi ne ndër njerëzit?
Por ai zot, që gjithë gaz
të zbukuroi djalërinë,
djepin ta veshi me ar,
aq sa një katund për ty
lutet , ai zot të do.

Kënga XIV

Pasi dielli i ra te shtrati,
m`u pataks e mjera:
vuri shpejt të veshurat,
dual nga rrij i biri i zotit.
Era ngrinte pluhurin
e e shfrynte mureve;
asnjeri s`kalonte andej.
Por atje, te buzë e udhës,
Rina flit, vetem në vatër:
– Ku ta dish në do të shkojë
trimi i hieshëm më ksaj udhe!
Fatmiroshe ato n`Greqi
zërin që i dëgjojnë!
Vate!- tha me vetëhe,
u kthye në shpi,
mori tërkuzën e trastën
e me vajti nga ullinjtë :
mblidh ullinj e qante.
Pasi shkundi pesë ullinj,
tek i pesti, në shullë,
ndejt e e zuri gjumi.
Trimi në ëndërr m`iu duk,
qe i doli udhës lumit.
Fushat ishin plot me borë,
rrobat mbi krah i pikonin.
– Me ktë mot ke bërë finjen?
Si të janë skuqur duart !
Vasha vu buzën më gaz,
Kur,- ia befti një erë e fortë,
shkundi born` e drurëve,
e përflaku porsi valë
e të kaltër si një det
poshtë kodravet e hapi.
Vate dhe trimi, i rrëmbyer!
Te një spart ajo u zu :
pas e ruajti e larg e pa
si një flutur përmbi ujët,
që tundet e, vende-vende,
zbardhon së këputuri…
Porse u ngrit veriu i ftohtë,
që m`i ngriu zverkëthin
edhe gjurin e zbuluar,-
m`i këputi gjumin.

Kënga XV

Udhës sime lutesha :
– Shën Mëri e shpive tona,
këto udhë të m`i ruash!
Pasnesër gdhihet e diel
e ti del nëpër katund.
Arat të mbijn` të shëndosha
lopët të mos na pëlcasin,
shpitë mos vishen në zi,
gjith` të thonë: “Ruajna!“
Pse nuk prita, por u nisa?
Do më kishe dhënë uratën,
do të kishe ndjerë vashat,
që me bukë s`fryhen.
Daç të tjerrinë te dera,
daç t`u tringëlloj vegja,
asaj udhe më nuk shkoj.
S`është bisha për njerinë,
as shqipja e lisave,
as ngjala e ujrave;
vetëm burri ësht` për gruan,
kurme që u kalbën, nën baltë,
ndërsa të mirë ata s`shohin,
se kur duhen, bëjnë faj!“
Udhës ashtu lutesha.
Tek arrita e natën fjeta
im vëlla Koniati, djalë
si një lule , i vdekur,
më del veshur në të bardha.
Milosao: – Si e thonë këtë fshat,
ku ti rrije, o im vlla?
Sa gëzim që të na shohin
zoti tatë e zonja mëmë!
Koniati : – Dheut errët, ku ti fle
në mes dushqesh edhe detit,
ka mot , o vëlla, që dola.
Erdha të të ngushlloj.
Njerëzit rrojnë në shtëpi
të përçarë e në zi,
po kur dielli del nga mali,
gjith` njësoj në shtrat i prën.
Dy të rinj që duhen,
gjendjen, botën s`e ndërrojnë.
Si të shpëtoi nga goja
që , kur vashën pa fuqi
përmbi dhe trimi e do,
merr mëri zoti që e bëri?
S`e largoi ai Kalabrie
hidriotenë sydritë,
shtatmagjepsurën Luizë?
Shpuri mbrëmanet me anije
mbulesat që bëri gjyshja,
e te shpia e boshatisur
natën e fundit u mblodh.
Trimi e arriu e e puthi.
Luiza : – Në atë dhe, ku po shkoj vetë,
thuam në do gjë ti trim.
Trimi : – Kur të vesh te bregu i huaj,
hidh në det mandilin,
lut të vijë prroit tonë,
që të di se nuk u mbyte.
Lut dhe zonjën shën Mëri,
kurrë zi mos të të sjellë.
Kur kaloi një javë e gjatë,
trimi gjet mbi shur mandilen
edhe tha : – Si ajo që iku
edhe rron përtej,
kështu rrojmë ne pas vdekjes.

Kënga XVI

Era që e ndreqi motin,
fryu nga deti .
Te Kodr` e Llumbardhave,
lehtë se ç`ma hapi derën,
ëmbël më dheli fytyrën
e më reshti gjumin.
Milosao : – Më rrofsh, i ftohti veri,
që me zgjon e më gëzon!
Sa i ka hie koçimares,
kur ia përkul degëzat!
Ti s`leve në dhe të huaj.
Veriu : – Kur leva të parën herë,
dushku u tund te Pokfilli.
– Të bijën e Kollogresë
mos e pe nd`ata përrenj?
– Dita me diell gëzon
të shëndosh e të sëmurë.
Me kitar`, vasha krenare
luante me djaln` e bardhë
e i frushullon fustani,
gjiri i fryhej, rrotullohej
e m`i shprishej shtekthi
e m`i flisnin syzit.
– Mba tutje, bushtëra erë,
se më ngrive eshtërat!

Kënga XVII

Shtëpi tona të shpërndara,
do t`ju shoh pasnesër.
Do shoh bregn` e Rakanielit
e vashat që lajnë.
Nesër ndaj të ngrysur
shkon vasha nga dera ime
edhe sheh shumë hare;
pyet : – Ç`është kjo hare?
– Esht` hareja e t`bir të zotit,
që po na vjen nesër.
Zemra vashës i kërcen.
Mblidhet tek të motrat,
ulet, ngrihet, del te dera.
Nga çdo anë sheh plot zjarre:
çunat , me urë në dorë,
ndjekin udhve lakuriqët.
Shpndrit vasha prej hareje,
porsi djali një mëngjesi
që gdhihet me gaz.
Përmbi shtratin e mëndafshtë,
drita që m`i ndehet,
m`i këput atija gjumin.
Sheh të ëmën nëpër shpi
me gërshet të shpleksur
e me lidhëse në dorë ;
mbi tryezë sheh pasqyrën ;
brof në këmbë, se kujton
trimatë në Shurezët
e stolitë e vashave
përgjunjur në Shëndëlli
përpara Mesosporites.
Jeronim De Rada
Vjershë e Bijës së Kollogresë
Isha në vallet e i ndryshuar erdhe :
më shture sytë e m`u errësua jeta.
Mos e ki rëndë, o diell, kjo re e lënë
në të takoftë e ndrin dhe ajo një herë.

Kënga XVIII

S`ishin grahma trimash
e grash të martuara,
as rënkime zemre
që lufton me vdekjen,
porse ishin frymë
prej djemthish që prehen
djepeve me ninulla
më të rar` të diellit;
e si fërfëllimë gjethesh
të hardhis`, si fryma e ditës
në ato zemra të lehta,
kur lëshohetë thëllëza
nga lumi i Teodorit.
Ajo shkoi mbi qeramidhet
edhe ra te krei i djalit
të parganiot Milloshinit,
që ish te shtrati i vëlushtë
e m`u vu e ma ushqeu.
Si mbarojti së ushqyeri,
hapi krahët e m`u ul
përmbi tendën e mëndafshtë
e ia lëshoi këngës.
Djalthin e zu gjumi.
Nd`e zu gjumi, le të flerë,
mos kujtoj` të bardhën mëmë,
që e zbathur e pa frymë
pyjevet po më rrëqiset,
duke i thirrë zotit saj,
që doli e nuk u kthye.

Kënga XIX

Më të rar` të dimërit,
vajta bashkë me tim vllëzer
te stani i Marlulës,
i pritur ka mot.Bariu
ngrohu qumësht e i rrëmbyer,
syt` me lot : – Ha ; trim i bardhë!
Yt gjysh, kur vinte, nuk donte
Veç qumësht të ngrohtë;
pastaj gjer të gdhihej,
ushtrinë e harronte.
Pa kreni dhe i trishtuar
rrija si në vend të huaj.
Fjetën tim vëllezer.
Delet që zhurmonin,
gjumin ma këputnin.
Kur u çova për së pari,
nga Mbuzati hënëza
sipër detit llamburinte.
Kur u çova për së dyti,
ylli s`ish duke vështruar
njerëzit e bishat që flinin,
por u takste deleve
net me fate të mëdha.
Kur u çova për së treti,
hëna kishte perënduar;
ndonjë ka, aty-këtu,
po kulloste kodrave
gjysmë të zbardhuara.
Kur të katërtën u zgjova,
delet tona ishin hapur
lumenjve të kaltër.
Mua më zu malli i katundit.
Dola poshtë shesheve,
që ishin lagur: kish dëborë
të pa shkrirë, të përhapur
nën hien e shkurreve,
e vashën kryegështenjë
njoha te udhë e katundit,
njoha shtatinë plot hir,
spikun e kaltër të fustës;
e takova nëpër zhugat.
Trimi : – Se ti vije somenatë
gjer këtu, nuk e pandeha.
Vajza : – Pse , s`kam ardhur tjera herë?
S`patëm me kë t`u dërgojmë
bukën vllezërve.”Shko mblidh
dhe dy skorje”, më tha mëma.
Sonte mos fjete më truall?
– Afër zjarrit i mbuluar.
– Bobo! s`mund të vije mbrëmë
në shtëpi?- Te shpia ime
vajza kryegështenjë
tani më s`po duket.
– Sa ka dielli që rron,
mos, kur ulet mbrëmanet,
vetëm s`rri?
– Kur të kthej në dhe të huaj,
ngopmu ti, moj zemërgure,
si të huaj të më dish!
– E përse? “Ne pran` e pranë
ecnim. Ajo u përmbajt
e pastaj sytë e përlotur
i ktheu nga plepat anësh.

Kënga XX

Gjethet ishin si të mpira,
dielli i fshehur resh,
zemr` e grave pa dëshirë,
kur, – ia dha një shkundullim.
Ullinjtë e thyer,
shtëpitë e rrëzuara,
njerëzit i braktisën
mërisë së dheut.
Ulërinin egërsirat.
Përmes gjindjes së tmerruar,
që sillej, përpiqej udhës,
asaj nate të pabesë
kam diktuar vashëzën,
vashëzën meshollëzën,
ate kryegështenjëzën.
Si ai që një yll të qetë
sheh e zemrën ia ngroh,
yll qe thot : “Vështromëni dritën,
bota nuk do të shkallmohet“, –
bardhëllore unë e pashë.
Vajza : – O i bardhë bir bujari,
në më merr, ku po më shpie ?
Unë s`jam një zonjë e madhe
si mizorja jot kunatë.
Trimi : – Shkodra më s`thuhet qytet;
përtej malit gjejmë priftër
që të na martojnë.
Un` me shigjetë e parmendë,
ti kasollen të më ruash
edhe rrobat të më lash,
vetëm për mua të vetmin.

Kënga XXI

Nesër gdhihet shën Mëria,
flakadani seç u ndez,
udhët janë plot me fjalë.
Mana, ullinj e vreshta tonat,
verdhëlluar hënës,
kurrë të mos i gënjeni
vashat e këtij katundi.
O ti mbrëmje e bukur,
kush me ty po rri tani
që e zuri gjindjen gjumi?
Mua thëllëza te shtrati
më sheh kurm të heshtur,
sikur të shih një statujë;
si të pandehë se nesër
është dita ime e madhe?
Shkrehen pushkë e bje kambana
me hare më të aguar;
motëra ime nga deti
hap dritaren e sheh motin
e gjith` kurmi po m`i qesh.
Shtëpitë tona pastrohen.
Para shpive- thirrma e valles.
Kunatat që, mbrëmanet,
bënë fjal` te vatra
edhe fjetën zemëruar,
rrinë afër në vallet,
te zëna për dore.
Vajza kryegështenjë,
liruar nga prindët,
vjen te unë e te zotiynë,
që e bëri pa mëkate,
që ul sytë e sheh mbi dhe
gjithë njerëzit si vëllezër.
Nesër ajo , në kët` orë,
uletë në shtratin tim,
më jep faqen për të puthur,
më le gërshetin nën llërë.
Djemt` që do m`i lejnë,
trojeve tona do dalin,
ndër ullinj e kopështije,
ashtu si del hënëza
e njohur nga bota.
Shën Mëri , ti mos na le,
pasi të hyjë në shpi
e stolisur me ar
e pritur nga bujareshat,
e rrëmbyer nga gjitonët, –
si nga bari një vjollce,
që tryezën kundërmon.
Si liri për gjithë vendin
qe shtëpia e tim gjyshi,
por tani ësht` nën të tjerë :
nusja nuk gjen në shtëpi
asgjë për t`u madhështuar.

Kënga XXII

Bie , por s`dua të fle.
Mos e mbyll ti derën,
le të hyjë era e detit,
të më ftohë, si më ftoh
vashëzat më të prashitur;
le të hyjë dielli,
që te vatrat, i pafaj,
na u rri pranë mëmave,
u kujton kohën e shkuar.
Vajzën me shtatin e bukur
unë të dashur e pata
e m`i leu një djal` që i ngjet.
Me hare në këto shpi
ajo përkund djepthin
e mua brezin më qëndis.-
Bie , por s`dua të fle.
Si drita në qiell e syu
në kurm të njeriut,
kur e sheh të pamenduar,
ajo shpisë i ka hie.
Ditët e mia fatmira,
do kujtoheni mbi dhe
si këto brigje e lumenj,
që të moçëm do t`u duken
atyre që do të lejnë.-
Bie , por s`dua të fle.

Kënga XXIII

Milosao : – Si një re me shi të fshehur,
mbi katund shumë e bardhë,
që nuk di ku të pushojë,
grua , ti rri kur jam në shtëpi.
Kur dola , të gjeç se qaje.
Nusja : – Birit tim njeri s`i a mbrojti
foshnjërinë dhe askush
nuk i ndihu kur ma zuri
vdekja, që gjakun i piu.
– S`është zemrimi i zotit
djalin, grua, që të rrëmbeu:
dheu të gjithë na mbulon.
Si te djepi, natën,
te veshët i tingëllonte
kënga e djemve e ai s`e dinte
se lart yjt` lëviznin
e posht` fshati merrte frymë,
ashtu shihte edhe anije
detit, e lumit të madh
trima zallit, kuaj,-
e gjithashtu vdiste!
– Porse t`ëmën që ma mbante
atje lart im bir s`e sheh.
Ai mbeti me sy të hapur
nga un`, bërë si lëvere…
Në katund do vdes e para…
Po, ma tha …Të ritë tim
cili varr e ha te kisha?
– Ç`është kjo fjalë? Engjëll vashë,
jam i yti ! Kush të huaj
shtatin tënd mua ma bën?
Llërët edhe zverkun
i vështrova e m`ia putha.
Ajo fshiu lotët,
si pëllumb, shumë e menduar,
mbi mullinjtë shtiu sytë,
te ku shtrihej vreshta jonë.

Kënga XXIV

Kush kujtoi se do më lije,
e pafat motëra ime?
Sa agonte përmbi det,
më liroje shtratin,
që të ushqeje sirkun.
Fustanes që skuqte,
shëndrisnin tavanet.
Bobo! fletë si një flutur
se ç`më vure e mëndafshin,
vash`, do mos e shihje!
Të tjera mbi dhe i kryen
ç`pati zënë dora jote
e ti më je pluhurosur.
Fron i jetës, ata sy
janë tokë e myk u bë
ajo buzë, mollë e ëmbël,
në njëzet e pesë vjet.
Kuj më lë në këtë dhe,
hir i madh i shtëpis` sime?
Kush më del në derë
të zilepsë vashat,
e llumbardhat ta vështrojnë
që nga qeramidhet?
Shtrati mbeti i pashtruar,
njeri s`ecën nëpër shpi.
O ! gjer t`ikin këto ditë
e të hyj ndër yjet,
të të shquaj e përdorez,
larg prej shpirtrave të tjerë,
më ne të mos ndahemi.

Kënga XXV

Dy dit` mjegull edhe shi
verën dojin të na reshtin;
tek e katra, ndër lëmenj,
shtruan duajtë në diell.
Unë , vetëm , i helmuar,
vajta gjer te Shureza,
ndejta te bythë e ullirit.
Një turme stërqokash vinin
kashtronjës, duke u çirrur
aqë sa brofa në këmbë.
Pyllit takënte
sëpata e gravet ;
këngë vinin vreshtvet;
bota dukej të kish lerë
asaj menate. –
O e bukura motra ime,
mos ka rrush te varri yt?
Vend të bukur në të dhanë,
prapë s`shtrihesh dot e lumtur.
Pse s`rri përherë me mua ?
Kurmi i saj i bërë pluhur
nëpër rroba i ka rënë
e këto fjalë s`i ndjen.
Zoti i dherave të shuma,
që dha ditën plot dëshirë,
më vështroftë dhemshurisht,
këtë jetë ma këputtë,
të më dalë dorës tij!

Kënga XXVI

Era fryu prapa shpive.
Motra ime e vogëla
vishet edhe lahet,
merr gjilpër` e penë
e më ulet kundrejt detit.
Rri mbi uj` ylli i mengjesit.
Afër , mbi fron i fanepset
zonja ime tek qëndis,
siç e kish zakon, një kezë.
Nusja : – Ashtu, bij`; dielli që del
vajzës së larë i qesh
më shumë se dheut.
Ajo vashë aq e gjallë
rritet nën hien e s`ëmës
e qetë e e dhemshur,
shtatin plot me hire,
shpive ecën si një yll.
E bija e gjitones
ma kundron e dëshiron
ajo zonj` ta komandojë;
çupat gjifryra
asaj dere e duan burrin,
ndo bari, ndo me parmendë.
Kur e la shtëpinë e t`et,
fqinjëria u errësua
edhe zilisnin fatmadhin
katundin e dhëndrrit.
E në vdektë , i shkon mëma
nga derë e të shoqtë e qan.
Ajo flit – e unë u dhashë,
më pa dhe vështroi vashën
e bëri buzën me gaz,
një gaz prej së vdekure.
Motra ime e marmarosur
më shtiu sytë në fytyrë.
Froni ishte i liruar,
rrezet e diellit skuqnin
streht` e qeramidhevet.
Posht` te lumi, shelgjet,
të zbërdhulur e të ftohtë,
era i tundte gjithë hir.

Kënga XXVII

Vasha e mjeruarëz
hyri tek e emta.
Vasha : – Ulu e bëmë gërshetin.
Ndejti drejt shtëpis` së zotit.
Dielli binte që nga dera
afër djepit pes` thëllëza
nën frone përpushnin.
Vashës i shpëtuan lotët
mbi dorën e s`emtës.
E emta : – Ç’është helmi yt, moj bijë?
Vasha : – Helmi im është i madh shumë.
Pa shih këta zogj që rrojnë
vetëm , po fatbardhë : s`kanë
njerkë egërsirë.
– Vajzë, bijë e sime motre,
ndo ti bën buzën në gaz,
ndo ti flet o shtie sytë,
s`gjendet zemër që s`të do.
– Porse mua nuk më vlen :
s`është mëma të më shohë.
Nat e ditë më qorton
njerka mizore që kam.
– Mos më qaj ti, bija ime :
tani shpejt më vete nuse
e te zoti yt fatmirë
gjithë helmet i harron.
Vajza me një psherëtimë
tërhoq gërshetthin e artë,
bëri e fshiu lotëzit,
sytë i shëndritën
– E sa kam të rroj akoma ?

Kënga XXVIII

Ranë këmborë e tambure.
Me një vel të zi në krye,
ime motër maste
një trëmbë lesh e mëndafsh,
që e kish tisur vetë mëma.
Trimit që do i mirr të bijën,
ia kish tisur për shatore,
që të hapte natën
ushtërisë kur t`i printe;
por s`e dinte motra ime
e prandaja, e harruar,
filli vetëm kujtoj mëmën,
kryepluhurosurën
e që s`njihej më te varri;
iu veshën sytë me lot.
Ish pa jetë si piktura,
që mbi shtratn` e nuses
në mesditë i qesh shtëpisë
e s`e ndjen kurmin e saj
me atë flok të bukur.
Ulur pranë, unë e vështroja.
Madhështorja mëma ime
pat besuar që me ushtri
Arbërit unë t`i ndihja;
e la besa edhe vdiq.
E kujtova dhe, nga duket
kopshti, u ktheva e qava.
Arat e prashitura
shiu i butë i bunartë.
Kajsia me lule
frushkullonte si një valle
që ulet e më pret nusen,
pret të dielat plot fruta.
Motra : – Ja tryeza e shtruar,
froni pranë, o vëlla;
hajde, ngushëllohu,
kaq i ri dhe veç helmuar!
Milosao : – Motra ime e vogëla,
pasi m`ujdise shtëpinë,
po të shoh të lodhur, vetëm,
e që s`të hedh syt` njeri…
– Lavdi pastë në qiell zoti,
që na mori zonjën mëmë!…
Kur të na kujtojë ajo
nga vendi i paqes,
njësoj është…- Ti je e lumtur
se gjithnjë si desh e mjera
bëre : ditën punove,
natën fjete, si një dritë
që ndizet edhe shkëlqen
gjersa shuhet, edhe botës
më s`i lypset. Mua mëmën
një e huaj ma largoi.
-Mëma pat shumë gëzime,
porse ajo motër e mjerë,
punëtore e varfër,
i la shtatin tim vëllai
si drita që rri tek ylli.
Ç`e mërzit të zezën?
Përse nuk e le të qetë,
pasi të gjithë e harruan?
Sa e bukur kishte lerë!…
Sa hie në ato zakone!…

Kënga XXIX

Ujërat menë, ra veriu,
male dhe sheshe u veshën.
Si udhën e ëngjëllit, verë,
të shoh edhe trembem.
Djemt`, që botën shtrigë
njohur nuk e kanë, qeshin
porsi shqerrat në livadhe.
Degt`e trëndafilave
shkundin vesën edhe vashës
mbi gërshetëthin i bie,
që pleksi me vjollca;
bie mbi foshnjën e fqinjës,
që i lot te prehëri.
Ajo e puth e më skuqet,
se mendon te djali i mallit,
që një ditë do t`i lejë.
Pelat zbuten për të hipur;
burri shkul pendët e zogjve
të stolisë kryet;
si veriu që përthan lulet,
ai prish një shesh me sirq,
që një rrobezë të bëjë;-
fatbardhë sikur të tiste
rrezet e diellit vetë!
Vera e magjeps më shumë :
lule të bardha , lule të verdha,
të përhapura, të vjerra,
duan veç gojë t`i flasin.

Kënga XXX

Fryjti era e maleve
dhe rrëzoi hien e lisit.
Gjaku im te Lumi i Vodhit.
Hapeni shatoren,
o ushtarë, që të shoh
Shkodrën edhe time motër
te dritareja kundruall.
Atje nuk do zgjohem më
luleve që i tund era
si suvalë e pasosur.
Mblidhen shokët mbrëmanet
në katund, në vatërët.-
I lashë si ëndërrëz.

Mbaroi Milosaoja.

Published in: on Maj 10, 2015 at 2:39 pm  Lini një Koment  

PËRDORIMI I SHKRONJËS SË MADHE

Shkronja e madhe përdoret për të dalluar emrat e përveçëm dhe emërtimet e barasvlershme me ta nga emrat e përgjithshëm.

Shkruhen me shkronjën e parë të madhe emrat dhe mbiemrat e personave, epitetet ose ofiqet (nofkat)që janë pjesë përbërëse e tyre, si edhe pseudonimet:

Avni Rustemi, Dedë Gjo Luli, Gjergj Elez Alia, Gjergj Kastrioti, Gjeto Basho Muji, Gjin Bua Shpata, Gjon Buzuku, Ismail Qemali, Naim Frashëri, Pjetër Budi, Gjergj Fishta etj.; Aleksandër Duma Biri, Gavril Dara i Riu, Gjergj Balsha i Parë, Gjergj Qimekeqi, Ivani i Tmerrshëm, Rikard Zemërluani, Leka i Madh, Asdreni, Çajupi, Jakin Shkodra, Migjeni, Platonicus, etj.

Shënim 1. Nyjat dhe pjesëzat e mbiemrave të huaj shkruhen me shkronjë të vogël, kur jepet i plotë emri dhe mbiemri i personit, por shkruhen me shkronjë të madhe, kur përdoret vetëm mbiemri dhe kur nyja ose pjesëza është element i domosdoshëm i tij:

Kalileron de la Barka, por: De Ia Barka, Leonardo da Vinçi, por: Da Vinçi; Lope de Vega, por: De Vega;Vincent van Gog, por: Van Gog etj.

Me shkronjë të madhe shkruhen edhe pjesët O, Mak, San, Sen të mbiemrave të huaj të personave: O Brien, O Konor, O Kejsi; Mak-Dovell, San-Martin, Sen-Simon etj.

Shënim 2. Të gjitha pjesët e emrave dhe të mbiemrave kinezë, koreanë, vietnamezë e birmanë fillojnë me shkronjë të madhe:

Li Siu Çen, Lu Sin, Ngujen Van Troi, Sun Jat Sen etj.

Shkruhen me shkronjën e parë të madhe emrat e mbiemrat e përveçëm, të cilët, megjithëse përdoren për të shënuar një kategori të caktuar njerëzish, nuk janë kthyer në emra të përgjithshëm:

janë të rrallë në histori Gjergj Kastriotët; kemi edhe ne Homerët tanë; një Promete i ditëve tona.

Shënim. Kur emrat e përveçëm të njerëzve janë kthyer në emra të përgjithshëm që shënojnë tipin përkatës, shkruhen me shkronjë të vogël:

ciceron, donkishot, gobsek, harpagon, kuisling, mentor etj.

Me shkronjë të vogël shkruhen edhe emërtimet e njësive të matjes, të mjeteve teknike, të sendeve etj., të cilat burojnë nga emra të përveçëm:

amper-i, om-i, vat-i, volt-i, zhul-i; dizel, ford, mauzer, rëntgen etj.

Emërtimet e funksioneve shtetërore, politike e ushtarake, të gradave, të titujve fetarë etj. shkruhen me shkronjë të vogël:

ministri i Ndërtimit X X,
deputeti i Kuvendit Popullor X X,
presidenti i Republikës,
perandori Kostandin,
mbretëresha Teuta,
sulltan Murati Il;
ambasadori X X;
komandanti i regjimentit,
komandanti i korpusit,
komandanti i brigadës,
shefi i shtabit,
admirali X X,
mareshali X X,
gjenerali X X, etj.;
dukë Gjin Tanushi,
princi Karl Topta,
kont Niketë Topia, 

vojvodë Janosh Huniadi,
Ali pashë Gucia,
anëtari i Akademisë së Shkencave X X,
profesor X X,
doktor profesor Aleksandër Xhuvani, etj.;

Kur këto emërtime përdoren më vete (jo në fjali), siç ndodh zakonisht në rastet kur u drejtohemi personave përkatës, në nënshkrimet, si edhe në renditjen e emërtimeve në fjalë në dokumentet zyrtare, ato shkruhen me shkronjë të madhe si në fonmën e plotë, ashtu edhe në formën e shkurtuar.

papa Kalisti III,
peshkopi Pal Engjëlli,
at Shtjefën Gjeçovi,
imzot Luigj Bumçi,
sheh Mustafa Tetova etj.

Kur emërtimet e mësipërme janë bërë pjesë e pandarë e një emri të përveçëm, ato shkruhen me shkronjë të madhe:

Baba Faja, Hoxha Tahsini, Kont Urani, Madam dë Stal, Papa Kristo Negovani, Princ Vidi etj.

Emërtimet e funksioneve zyrtare e shoqërore më të larta, titujt më të lartë të nderit në RSH dhe emërtimet e urdhrave e të medaljeve shtetërore shkruhen me shkronjë të madhe (të gjitha fjalët që hyjnë në përbërjen e tyre, me përjashtim të nyjave); po kështu veprohet edhe në rastet e ngjashme në kumtimet e në dokumentet zyrtare:

Kryetari i Presidiumit të Kuuendit Popullor;
Kryetari, i Këshillit të Ministrave të Republikës të Shqipërisë;
Hero i Popullit; Mësues i Popullit;
Artist i Popullit; Urdhri Naim Frashëri etj.

Emërtimët e titujve të tjerë të nderit shkruhen me shkronjë të madhe vetëm në fjalën e parë:

Artist i merituar,
Mësues i merituar,
Mjeshtër i sportit etj.

Emërtimet e titujve të nderit vihen në thonjëza, kur përdoren menjëherë pas fjalës “titull”, si ndajshtim i paveçuar me presje:

iu dha titulli ,”Hero i Popullit”,
“Artist i Popullit” etj.,

por shkruhen:
Heroi i Popullit Qemal Stafa,
Mësuesi i Popullit Aleksandër Xhuvani,
Artistja e Popullit Marie Logoreci etj.

Shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përveçëm të botës mitologjike e fetare, si edhe ata të figurave e të tregimeve popullore:

Adami, Apoloni, Buda, Diana, Eva, Hermesi, Jupiteri,
Krishti, Minerva, Muhameti, Neptuni,
Polifemi, Shiva, Zeusi etj.;
Borëbardha, e Bukura e Dheut, Hirushja etj.
(por shkruhen me shkronjë të vogël emrat e përgjithshëm të sferave të mësipërme si allah, engjëll, perëndi, perri, shenjt, xhind, zanë etj.).

Shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përveçëm të kafshëve: Balashi, Baloja, Bukefali, Kazili, Kuqali, Laroja etj.

Shkruhen me shkronjë të madhe emërtimet e planetëve, të yjeve, të yjësive e trupave të tjerë qiellorë:

Arusha e Madhe, Arusha e Vogë, Galaktika, Juplteri, Kashta e Kumtrit, Dielli, Hëna, Marsi, Neptuni, Saturni, Shenjëzat, Toka, Urani, Ylli Polar etj.

Shënim. Emrat dielli, dheu, hëna, toka etj. shkruhen me shkronjë të vogël, kur nuk përdoren si terma të astronomisë, p.sh. perëndimi i diellit; temperatura në det e në tokë është e ndryshme; një natë pa hënë etj.

Emërtimet gjeografike e territoriale-administrative, si edhe emrat e tjerë të vendeve shkruhen me shkronjë të madhe:

Adriatiku, Alpet, Buna, Dajti, Devolli, Drini,
Joni, Karpatet, Labëria, Luma, Mirdita, Myzeqeja, Sazani, Skrapari, Shari, Shqipëria, Tomori, Vjosa, Vlora etj.

Pjesët përbërëse të një emërtimi gjeografik a të një emri vendi prej dy a më shumë fjalësh shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave, lidhëzave e parafjalëve):

Amerika Latine, Azia e Vogë, Bishti i Pallës, Bjeshkët e Nemuna,
Bregu i Detit, Bregu i Fildishtë, Bregu i, Matës, Briri i Artë,
Deti i Bardhë, Deti i Kuq, Deti i Vdekur, Deti i Zi, Drini i Bardhë,
Fusha Mbret, Gadishulli Ballkanik, Gadishulli Iberik, Gropa e Shkodrës,
Guineja e Re, Guri i Bardhë, Guri i Hasit, Gjiri Arabik, Gjiri Persik,
Ishulli i Lezhës, Kepi i Gjelbër, Kepi i Shpresës së Mirë,
Kodra e Kuqe, Kunora e Lurës, Lëndina e Lotëve, Lugjet e Verdha,
Lumi i Vlorës, Maja e Hekurave, Malësia e Madhe,
Malësia e Mbishkodrës, Mali i Bardhë, Mali i Gjerë,
Mali i Zi, Mali me Gropa, Oqeani i Ngrirë i Veriut,
Përroi i Thatë, Poli, i Jugut, Poli i Veriut, Qafa e Gjarprit,
Qala e Thanës, Qafa e Zezë, Reç-e-Dardha,
Rrafshi i Dukagjinit, Rruga e Barrikadave,
Sheshi i Flamurit, Shkalla e Tujanit, Shkëmbi i Kauajës,
Shtegu i Dhenve, Tenda e Qypit, Toka e Zjarrtë, Ura e Shtrejtë,
Vau i Dejës, Vendet e Ulëta, Zelanda e Re etj.

Shënim 1. Emrat e përgjithshëm gjeografikë si breg, buzë, çukë, det, fushë, gadishull, grykë, gji, hundë, istëm, ishull, kanal, kep, kodër, krua, liqen, lumë, majë, mal, ngushticë, përrua, qafë, qytet, sukë, shkretëtirë, shpellë; tropik, vargmal etj., kur nuk janë pjesë përbërëse e një emërtimi të përveçëm, por përdoren si përcaktues të një emri gjeografik ose përcaktohen prej tij, shkruhen me shkronjë të vogël:

çuka e Ajtojt, deti Adriatik, deti i Kinës Jugore, fusha e Korçës,
fusha e Myzeqesë, gadishulli i Ballkanit, gryka e Këlcyrës,
gjiri i Vlorës, hunda e Karaburunit, istmi i Korintit,
ishulli i Sazanit, kanali i Korfuzit, kanali i Myzeqesë,
kanali i Suezit, kepi i Rodonit, kroi i Zejmenit, liqeni Balaton,
liqeni i Prespës, liqeni i Shkodrës, lumi i Matit, lumi i Tiranës,
maja e Korabit, maja e Radohinës, mali i Dajtit, ngushtica e Bosforit,
ngushtica e Gjibraltarit, përroi i Munellës, qafa e Llogorasë,
qyteti i Fierit, shpella e Dragobisë, tropika i Gaforres,
vargmali i Andeve etj.

Shënim 2. Mbiemrat që janë pjesë përbërëse të emrave gjeografikë, sikurse shihet edhe nga shembujt e mësipërm, shkruhen kurdoherë me shkronjë të madhe:

Curraj i Epër, Drini i Bardhë, Drini i Zi, Kanali i Madh,
Kurveleshi i Poshtëm, Labova e Sipërme, Malësia e Madhe,
Mali i Zi, Myzeqeja e Vogël, Prespa e Madhe, Prespa e Vogël etj.

Shënim 3. Të gjitha pjesët përbërëse të emërtimeve zyrtare të shteteve fillojnë me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave):

Despotati i Epirit, Mbretëria e Nepalit, Perandoria Osmane,
Perandoria Romake e Lindjes, Perandoria Romake e Perëndimit,
Principata e Arbërisë, Principata e Lihtenshtajnit,
Republika Arabe e Egjiptit, Republika Franceze,
Republika Popullore e Kinës, Republika e Shqipërisë,
Republika e San-Marinos, Republika e Rumanisë, Britania e Madhe
Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.

Shënim 4. Emrat e anëve të horizontit dhe mbiemrat e fomruar prej tyre shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjës), kur përdoren si emërtime njësish territoriale (gjeografike ose historike) ose si pjesë të këtyre emërtimeve:

vallet tona të Jugut, popujt e Lindjes, Lindja e Largme,
Lindja e Mesme, shtetet e Perëndimit,
kryengritjet e malësorëve të Veriut, popujt e Veriut etj.;
Amerika e Jugut, Italia e Jugut, Poli i Jugut,
Vietnami i Jugut, Evropa e Veriut, Irlanda e Veriut, Koreja e Veriut,
Poli i Veriut, Shqipëria e Veriut, Vietnami i Veriut etj.;
Amerika Jugore, Evropa Jugore, Shqipëria Jugore,
Evropa Juglindore, Azia Juglindore, Evropa Lindore,
Mesdheu Lindor, Evropa Perëndimore, Afrika Veriore,
Amerika Veriore, Shqipëria Veriore, Shqipëria Veriperëndimore etj.;

Kur emrat dhe mbiemrat e mëposhtëm përdoren për të shënuar një drejtim ose një pikë të horizontit, shkruhen me shkronjë të vogël:

u nisën dreit veriut; era fryn nga lindja;
në drejtim veriperëndimor etj.

Shënim 5. Emërtimet gjeografike shkruhen me shkronjë të madhe, edhe kur përdoren me kuptim të figurshëm:

Borovë (djegia), Vaterlo (beteja).

Emërtimet e periudhave, të ngjarjeve, të akteve e të dokumenteve historike me rëndësi kombëtare ose ndërkombëtare, të monumenteve historike e të monumenteve të kulturës shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave dhe të fjalëve shërbyese):

Çlirimi, (zhvillimi ekonomik pas Çlirimit), Reforma,
Rilindja, Rilindja Kombëtare Shqiptare, Tanzimati etj.;
Komuna e Parisit, Konferenca e Ambasadorëve,
Konferenca e Labinotit, Konferenca e Paqes,
Konferenca e Pezës, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe,
Kongresi i Lushnjës, Kongresi i Manastirit,
Kongresi i Përmetit, Kuvendi i Lezhës,
Lidhja e Prizrenit, Lufta e Dytë Botërore,
Lufta e Vlorës, Mbledhja e Beratit,
Nata e Shën Bartolemeut, Njëqind Ditët, Operacioni i Dimrit,
Qeveria e Përkohshrne e Durrësit, Reforma Agrare,
Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip,
Traktati i Londrës, Traktati i Shën Stefanit, Traktati i Versajës etj.;

Dekreti i Paqes, Dekreti i Tokës, Karta e Kombeve të Bashkuara,
Karta e Madhe e Lirive, Kushtetuta e RSH etj.;
Kalaja e Gjirokastrës, Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut,
Manastiri i Ardenicës etj.;
Monumenti i Shpalljes së Povarësisë (Vlorë),
Monumenti i Luftëtarit Kombëtar (Korçë),
Monumenti i Skënderbeut (Tiranë, Krujë),
Ura e Mesit, Xhamia e Ethem beut (Tiranë) etj.

Shënim. Emërtimet e epokave gjeologjike, historike e të formacioneve historiko-shoqërore që nuk janë emra të përveçëm, shkruhen me shkronjë të vogël:

diluvi, jura, kuaternari etj.; koha e re, mesjeta, neoliti, paleoliti etj.;
feudalizmi, komuna primitive, kapitalizmi, etj.

Emërtimet zyrtare (të sotme ose historike) të institucioneve të shtetit, si edhe emërtimet e organizatave shoqërore e të njësive ushtarake kryesore shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave dhe të fjalëve shërbyese); po kështu veprohet edhe në rastet e ngjashme në kumtimet e në dokumentet zyrtare:

Kuvendi Popullor, Presidiumi i Kuvendit Popullor,
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë,
Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme,
Ministria e Tregtisë, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë,
Universiteti i Tiranës, Biblioteka Kombëtare,
Banka e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë,
Instituti i Monumenteve të Kulturës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë,
Fakulteti Ekonomik, Teatri Kombëtar, Teatri i Operës dhe i Baletit,
Shtëpia Botuese e Librit Shkollor etj.

Shënim. Emërtimet e kategorive të mësipërme, kur përdoren si emra të përgjithshëm, shkruhen me shkronjë të vogël:

ky universitet nuk ka fakultet mjekësie etj.

Në rastet kur një pjesë e emërtimit zyrtar të një institucioni, organizate etj. përdoret për të përfaqësuar gjithë emërtimin, kjo pjesë shkruhet me shkronjë të madhe: ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Jashtme etj.

Kur në një kontekst të caktuar një emërtim i tipave të përmendur më sipër rishfaqet me anë të fjalës së parë, kjo shkruhet me shkronjë të madhe, si përfaqësuese e një emri të përveçëm:

forcat e Lidhjes (= e Lidhjes së Prizrenit);
mësimet e Komunës (= e Komunës së Parisit);
institutet e Akademisë (= e Akademisë së Shkencave të RSH);

Shkruhen me shkronjë të madhe pjesët përbërëse të emërtimeve të festave kombëtare e ndërkombëtare:

29 Nëntori, 8 Marsi ose Tetë Marsi,
Dita e Mësuesit, Dita Ndërkombëtore e Gruas, Viti i Ri etj.

Te titujt e gazetave, të revistave e të librave, të cilët vihen kurdoherë ndërmjet thonjëzash, shkruhet me shkronjë të madhe vetëm fjala e parë dhe emrat e përveçëm që hyjnë në përbërjen e titullit:

“Zëri i popullit”, ,”Republika”, “Gazeta shqiptare”,
“Studime filologjike”, “Gjurmime albanologjike”,
“Revista pedagogjike” etj.;

“Bagëti e bujqësia”, “Gramatika e gjuhës shqipe”,
“Historia e Skënderbeut” , “Historia e letërsisë shqipe”,
Komedia hyjnore”, “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”,
“Toka jonë”, “Zëri i arbëreshëve” etj.

Po kështu shkruhen titujt e botimeve në gjuhët e huaja, kur jepen me alfabetin e shqipes:

“I foni tis Alvanias”, “Noje rajnishe cajtung”,
“L’albanese d’ltalia” etj.

Shkurtimet e emrave të shteteve, të partive, të organizatave, të shoqërive, të institucioneve, të ndërmarrjeve etj., shkruhen me shkronja te mëdha, pa vënë pikë as ndërmjet, as pas tyre:

RSH, SHBA, OKB, NATO, SEATO, UNESKO, FIFA, UEFA etj.;
ATSH, TEC, AXHERPRES, AFP, MENA, etj.

Shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përgjithshëm, kur përdoren për të shënuar qenie të personifikuara (në fabulat, përrallat e në krijime të tjera letrare):

Plaku i Vitit të Ri; O Prill, o im vëlla!; “Vajza dhe Vdekja”;
Përralla gjet një ditë të Vërtetën (N. Frashëri);
Të lumtë, o Arbër, se na zbardhe faqen! (K. Kristoforidhi) etj.

Mund të shkruhet me shkronjë të madhe një emër i përgjithshërn për qëllime të veçanta stilistike, për të theksuar me forcë a me ngjyrim të veçantë një nocion, një njeri a një ide të caktuar (Atdheu, Mëmëdheu, Liria, Komandanti, Njeriu, Nëntori etj.):

“Të bukurën e gjeta te ti, o Atdhe!”;
“Të nderojmë Mëmëdhenë!”;

Përemri vetor ju dhe përemrat pronorë juaj, (i, e) tij, (i, e) saj, në shenjë nderimi për personin të cilit i drejtohemi, ose për të cilin flasim, mund të shkruhen me shkronjë të madhe. Me shkronjë të madhe mund të shkruhen edhe emërtimet e bartësve të funksioneve shtetërore e shoqërore, kur u drejtohemi atyre:

Po ju drejtohem Ju me shpresë që ta shqyrtoni këtë rast …;
Zoti Ministër!; Shpresoj, Zoti Kryetar, se do të marr nga Ju një përgjigje të shpejtë etj.

Shkruhen me shkronjë të madhe emërtimet shkencore të tipave, klasave, rendeve, familjeve e gjinive të botës bimore e shtazore në trajtën latine të tyre; te emërtimet e llojeve e të nënndarjeve të tyre shkruhet me shkronjë të madhe vetëm fjala e parë:

Chordata, Protozoa, Mammalia, Pisces, Rodentia,
Turdus, Mugil, Canis lupus, Lacusta viridis etj.;

Dicotyledones, Monocotyledones, Leguminosae,
Pinaceae, Larix, Abies, Castanea sativa, Salvia etj.

Shkruhen me shkronjën e parë të madhe simbolet e elementeve kimike:

Cl, Fe, H, Mg, Mn, N, Na, O, S etj.

Emrat e përgjithshëm si:

rrugë, bulevard, stadium, shesh, lagje, hotel,
kinema, teatër, ndërmarrje, kooperativë, uzinë,
kombinat, hidrocentral, vapor, shkollë, klub,
gazetë, revistë, roman, poemë, dramë, opera, balet, këngë, etj.,

që përcaktohen nga një emër a emërtim i përveçëm në rasën emërore, i vënë ndërmjet thonjëzash *, shkruhen me shkronjë të vogël:
• ) Emrat e rrugëve e të shesheve në tabelat përkatëse nuk vihen në thonjëza.

rruga “Asim Vokshi”, rruga “Kongresi i Përmetit”,
bulevardi “Dëshmorët e Kombit”,
bulevardi “Donika Kastrioti”,
stadiumi “Dinamo”, sheshi “Avni Rustemi”,
sheshi “Skënderbej”, lagja,;
hotel “Adriatiku”, kinema “Morava,
teatri “Aleksandër Moisiu”, teatri “Migjeni”,
vapori “Vlora”, shkolla “Bajram Curri”,
klubi “Flamurtari”, revista “Nëntori”,
drama “Toka jonë”, opera “Skënderbeu”,
baleti “Halili dhe Hajrija”, kënga “Për ty atdhe” etj.

Kur emërtimet e mësipërme përdoren më vete (jo në fjali) në tabelat, dokumentet e shpalljet zyrtare, shkruhet me shkronjë të madhe edhe fjala e parë. Me shkronjë të madhe shkruhen gjithashtu emrat, shesh, rrugë, lagje etj., kur ata janë pjesë e emërtimit të përveçëm përkatës:

Rruga e Barrikadave, Sheshi i Flamurit, Klubi i Manastirit etj.

Emrat e popujve dhe të banorëve të një vendi, të një krahine, të një qyteti etj. shkruhen me shkronjë të vogël:

afrikanët, algjerianët, amerikanët, bullgarët, evropianët,
francezët, hungarezët, kinezët, pellazgët, polakët,
rumunët, shqiptarët, vietnamezët, zviceranët etj.;

arbëreshët, beratasit, dibranët, elbasanasit, giirokastritët,
kosovarët, kolonjarët, matjanët, myzeqarët,
shkodranët, tiranasit, ulqinakët, vloniatët etj.

Emrat e ditëve të javës, të muajve e të stinëve shkruhen me shkronjë të vogël:

e hënë, e martë, e mërkurë etj.;
janar, shkurt, mars, prill, maj etj.;
pranverë, verë, vjeshtë, dimër.

Në veprat poetike fjala e parë e çdo vargu mund të filloje me shkronjë të madhe ose të vogël; por në rastet kur vargjet, në citimet, shkruhen vijueshëm njëri pas tjetrit, jo secili në rresht më vete, ato nisin gjithmonë me shkronjë të madhe. Fillon me shkronjë të madhe fjala e parë e çdo teksti të shkruar, si edhe fjala e parë e një fjalie ose periudhe që vjen pas pikës, shumëpikëshit, pikëpyetjes, pikëçuditjes dhe dy pikave, kur këto shënojnë mbarimin e një fjalie të veçantë a të një periudhe të mëparshme.

Shënim. Kur pikëpyetja, pikëçuditja ose shumëpikëshi vihet pas ligjëratës së drejtë dhe në fjalët e autorit, që vijojnë, tregohet se kujt i takon ligjërata e drejtë, pas shenjave të mësipërme, fjala e parë shkruhet me shkronjë të vogël:

– Si shkoi udhëtimi? – pyeti babai pa hyrë mirë në shtëpi;
– M’u duk djalë i mirë… – i thashë unë.

Po kështu shkruhet me shkronjë të vogël fjala e parë pas shumëpikëshit që shënon ndërprerje gjatë ligjëratës dhe jo mbarimin e fjalisë a të periudhës së mësipërme, p.sh.:

Ky tavan është i ulët.. . tavani i shtëpisë sonë është më i lartë dhe i lyer me bojë të gjelbër.

Shkruhet me shkronjë të madhe fjala e parë pas dy pikave në këto raste:

a) kur fillon një ligjëratë e drejtë a një citat, që vihet ndërmjet thonjëzash:

Populli ynë thotë: “Trimi i mirë me shokë shumë”;
Skënderbeu ka thënë: “Lirinë nuk e solla unë, po e gjeta këtu, në mes tuaj”.

b) kur pas dy pikave radhiten, zakonisht në tekste zyrtare (statute, ligje, rregullore, urdhëresa, vendime etj.), paragrafë të veçantë që nisin me kryerresht dhe mbarojnë me pikë.

Shënim. Në të gjitha rastet e tjera teksti që vjen pas dy pikave, fillon me shkronjë të vogël:

Çdo ditë bënim të njëjtat punë: mbushnim ujë, çanim drutë, gatuanim, dhe qëndisnim pajën.

Published in: on Maj 10, 2015 at 1:44 pm  Lini një Koment  

Veterani

Pi ilaçet në mëngjes
del në rrugë të mbledhë kanaqe,
shpesh në shpinë bart nga një thes
veteran në luftë, e n’paqe.

Kontejnerët e qytetit
n’istikame nis i kthehen,
herë luftar, herë komandant,
I vetëm e fillon betejën.

Nga pusia veç një mace
i bën ballë sulmit të parë,
e më pas dhe një maçorr
me një artileri të rrallë.

Po shumë shpejt mbaron beteja
armëpushimi shpejt arrin,
veteranit plagë e vogël
në dorën e djathtë i rrin.

Matanë rrugës “komandantët”
listat i diskutojnë me kafe,
veterani nuk çan kokën
ditën ai s’e humb me llafe.

Dhe kështu ndër istikame
nga beteja në betejë,
në shtëpi ai kthehet n’mbrëmje
si dikur në epope.

Edhe lajmet kur përcjell
pezmin, jo, ai nuk e ndryn,
por s’kupton si fryhen listat
si lumenjtë n’më t’keqen stinë.

S’e kupton si shitet fytyra
për një pension jetik,
si i ndërrojnë kaq shumë ngjyra
“komandantët heroikë”.

Published in: on Mars 15, 2015 at 11:39 am  Comments (1)  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: