Prova në shtëpi

 

 

Vetat: Flutura, gjyshja, nëna, babai)

 

Flutura: ( Në celular) Po. Po unë jam Flutura axha Agim… Po,po!… Mua më ka pëlqyer shumë…Të falënderoj shumë xhaxhi Agim…. Ëhë, po… edhe mami më tha të njëjtën gjë… (Qesh). Vërtet! … Si balerinë. Shumë të faleminderit. ..Po, po! Po e ushtroj. Udhe unë shpresoj… Të faleminderit shumë Xhaxh Agim, shumë të faleminderit… jo, jo nuk harroj . … Mirë, mirë se i them… Ditën  e mirë.( Mbyll celularin e gëzuar dhe nis të këndojë e të kërcejë si balerinë)

Jam një balerinë me këdo vallëzoj

Fluturat e verës jo nuk i trazoj.

Jam me ngjyra- ngjyra, balerinë me nam ,

 e pëlqej dhe këngën, jam kjo që jam. 

(Hyn gjyshja me një tepsi në dorë të mbushur me patate).

Gjyshja: Cërr-cërr-cërr! Tërë ditën si një kanarinë po më këndon moj Flutur.

Flutura: Po isha duke ushtruar këngën moj gjyshe. Sapo më njoftoi xhaxhi Agim se kënga kishte dalë shumë bukur. Ah, moj gjyshe. Kur ta shohësh edhe skenografinë e kësaj kënge do të mbetesh pa mend.

Gjyshja: ( duke qëruar patatet) Sikur t’i ndihmoje nënës pak në punët e shtëpisë do të më pëlqeje më tepër, plus edhe skenografisë do t’i bëhej qejfi.

Flutura: (Duke qeshur) Po, po edhe ajo po të bën të fala. Oj, gjyshe, skenografia është ai vallëzimi që do ta bëj në skenë me shoqet e mia. Unë do të këndoj, por edhe do të vallëzoj në skenë.

Gjyshja: S’ mund t’i bësh të dyja, moj Flutur.

Flutura: Gjyshe, ti nuk ke besim te unë, apo jo?

Gjyshja: Si s’paskam besim unë te ti? Sikur të mos kisha besim nuk do të vija në festival për të të parë e për të të dëgjuar. Ajo që po dua të të them është se ti dëshiron vetëm të këndosh e jo edhe t’i ndihmosh nënës në shtëpi.

Flutura: Aman edhe ti gjyshe, asnjëherë nuk harron të ma thuash këtë. Por ta jap fjalën se pas festivalit do të ndryshoj.

Gjyshja: E di, e di se do të ndryshosh, por shko njëherë në kuzhinë merre një thikë dhe eja të të mësoj si qërohen patatet, pastaj duke qëruar- duke ushtruar.

Flutura: Kuuuu, edhe ti gjyshe, gjithmonë mendon se unë po bëj shaka me këndimin.

Gjyshja: (duke qeshur) Asnjëherë nuk kam bërë shaka me këngën tënde. (E lë thikën, heq syzet  dhe drejtohet nga Flutura) Hë, ma këndo edhe njëherë këngën. Si ishte ajo?

Flutura: ( Duke shkuar në mes të dhomës tërë kënaqësi) Gjyshe nëse mërzitesh ma thuaj.

Gjyshja: Jo, jo! Nuk mërzitet gjyshja, po të mos ishe ti, unë do të mërzitesha shumë, sa nuk e ke idenë ti. Po kënga jote ishte për një balerinë, apo?

Flutura: Po, gjyshe, dhe fillon kështu, por nuk e kemi muzikën.

Gjyshja: Nuk ka lidhje, se edhe ashtu me muzikë sikur nuk po mundem t’i dëgjoj edhe aq mirë fjalët, më kanë lënë krejt, por për hatrin tënd po i hap mirë.

 (Flutura nis të këndojë me gjithë hapat e vallëzimit që do të bëjë në skenë)

Jam një balerinë me këdo vallëzoj
Fluturat e verës jo nuk i trazoj.
Jam me ngjyra- ngjyra, balerinë me nam 
e pëlqej dhe këngën, jam kjo që jam. 

(Gjyshja gjatë tërë kohës lëviz nga pak me trup, sikur po e merr të tërën kënga dhe imiton ulur lëvizjet e Fluturës)

Kënga dhe baleti në mua bashkë rriten,
sa shumë më ndihmojnë në skenë të ngjitem, 
Hopa përmbi gishta hidhem dhe kërcej
Mos u frikëso mami se nuk do t’i  thyej.

( Gjyshja ngrihet befas në këmbë, përplas duart nga frika se mos rrëzohet vërtet, por Flutura vijon këngën pa e vënë re reagimin e gjyshes dhe vijon strofën e dytë)
Unë luaj me ritëm dhe frikë jo nuk kam 
në balet vallet sa qejf unë i kam,
Dridhem e përdridhem sikur dallëndyshe,
e di që mendoni se jam e çuditshme.

( Lëvizjet e Fluturës  e marrin me vete gjyshen dhe ajo fillon të bëjë bashkë me të disa hapa të baletit, Flutura e vëren gjyshen dhe i jep edhe asaj hapësirë në dhomë dhe kërcejnë bashkë)

 Hidhem e vërtitem pas çdo melodie
po mua, balerinën, e di më ka hije,
Ndaj edhe muzika, kur më merr për para
S’kam si të mos jem balerinë në gara.

Gjyshja: (E lodhur dhe  duke marrë frymë me vështirësi, ulet me vërtik në kolltuk ku ishte më parë) Mjaft se u lodhe shpirti i gjyshes. Uh! mjaft ulu dhe pusho. Uh, uh! S‘po mundem ta drejtoj shpinën, Uh! Edhe këmbët po më dhëmbin. (Shtrihet fare në kolltuk)
Flutura:  (Duke mos e ndjerë lodhjen fare) Oh, jo, jo gjyshe  se nuk ka mbaruar ende kënga,
Gjyshja: Për mua ka mbaruar moti.  (Duke u ngritur me shpejtësi).Si moj, nuk ka mbaruar ? Por menjëherë ndjen dhimbje në shpinë dhe sërish ulet) Uh, uh, nuk paska mbaruar , ajo na mbaroi që të dyja. Unë më  nuk mundem.
Flutura: (Duke qeshur) Ka mbetur edhe refreni. Ajo strofa që përsëritet disa herë në këngë.
Gjyshja:  (Duke bërë me duar në shenjë mohimi) Jo, jo! Unë nuk mundem më. Edhe sikur të isha prapë pesëmbëdhjetë vjeçe unë nuk mundem më.
Flutura: Gjyshe  mos u dorëzo kaq lehtë, muzika të rinon.
Gjyshja: (Duke qeshur) Uh! Po ta dije ti sot se sa më ke rinuar, nuk do të më zije besë. Po, hë, përfundoje ti se më mbetën patet pa qëruar. (Nuk mundet dhe e lë fare atë punë)
 Flutura: (Me ritëm edhe më të shtuar fillon të këndojë refrenin)  Balerinë, balerinë, unë jam balerinë
Mu në mes të vapës dal si suferinë,
(Shkon te gjyshja në vallëzim e sipër e kap për duar dhe e ngre sërish në këmbë. Gjyshja sërish imiton lëvizjet e  Fluturës)
Me pikat e shiut vallëzoj unë përherë
balerinë në dimër, balerinë në verë.
(Pa e përfunduar vargun e fundit Flutura, hyn nëna e saj. Në dorë ka një qese dhe e lë në tavolinë ,nga ritmi i këngës nuk e vërejnë fare)
Nëna: (Duke qeshur) Nuk e paskam ditur se kjo këngë qenka shkruar për t’u kënduar në duet. Ju e paskeni filluar festivalin pa mua. Bile të më kishit njoftuar kur dola. (Flutura shkon ta përqafojë nënën).
Gjyshja: U bëra me mendjen e fëmijës. Gazi i botës. S’di se qysh m’i piu sorra mendtë, bile më bëri edhe balerinë.
Flutura: Nënë,  a ma solle fustanin?
Nëna: Po, vetëm se  është pak më i gjatë dhe duhet ta shkurtojmë pak.
Flutura: ( Nxjerr nga qesja fustanin e balerinës. E vë përpara dhe drejtohet te pasqyra për t’u shikuar se si po i rri. I drejtohet gjyshes). Si thua gjyshe, a po më rri bukur?
Gjyshja: Si ti, si fustani. Flutur e bardhë. (Flutura del me fustan në dorë)
Nëna: A të ka mërzitur sot Flutura?
Gjyshja: Aspak, më ka çlodhur. Më ka rinuar. Më ka bërë balerinë . (Qeshen. Pas pak hyn babai). 
Babai: Sigurisht ju paskan ardhur lajme të mira. Kush ju paska ftuar në ndonjë dasmë. (Nëna dhe gjyshja tani qeshen më shumë).
Gjyshja: Të ishe këtu pesë minuta më herët do të më kishe parë mua si kurrë asnjëherë më parë.
Babai: Ende nuk qenka bërë dreka?
Gjyshja: ( U habitur duke dashur të arsyetohet). Uuuuu! Fajin e ka Flutura jote. Tani na la edhe pa drekë.
Babai: Pse ç’ka bërë?
Nëna: Asgjë! Ta ka bërë nënën tënde balerinë (qesh).
Babai: Ku është Flutura?
Flutura: (Hyn më fustanin e veshur duke kënduar dhe vallëzuar sikur me gjyshen).
Babai: ( Me zë zyrtar) Tani le ta dëgjojmë vlerësimin profesional. (Ndryshon zërin). Pasi juria ka dëgjuar me kujdes vetëm këngën e këngëtares së talentuar të Fluturës, vendosi  që këtë vit asaj t’i takojë  çmimi i parë… jo për ndonjë gjë, po për shkak të fustanit të balerinës që ka veshur.(Qesh).
Flutura: Ai edhe ti babi… Nuk mendoj se mund ta marrë çmimin e parë, ndoshta ka këngë edhe më të bukura se kjo. Tjetër gjë është nëse kënga të cilën e këndoj na pëlqen, desha të them më pëlqen. (Në dorë ka krehrin dredhës të flokëve. Merr pozicion sikur të jetë para publikut), Ju faleminderit të gjithëve për përkrahjen. Për këtë sukses falënderoj shumë, shumë, shumë së pari gjyshen time, që mendoj se krejt këtë talent e kam trashëguar nga ajo. (Gjyshja del dhe nderon para publikut duke derdhur disa hapa sikur të ishte ndonjë balerinë). Po ashtu dua ta falënderoj nënën time, e cila u përkujdes që të dukem kështu si jam sot.(Del edhe nëna i bashkëngjitet  gjyshes dhe qëndron pranë saj)  dhe në fund dua ta falënderoj edhe menaxherin, babain tim. ( Edhe babai rreshtohet përkrah tyre). Unë të treve u them: jeni më të mirët në Botë. (Fluturën të gjithë e mbulojnë duke e përqafuar të tre njëherësh).
Babai: Me rëndësi është se ne e duam njëri-tjetrin. Kjo është dhurata më e çmuar për ne.

 

Published in: on Korrik 29, 2014 at 8:12 am  Lini një Koment  

Dreka Solemne

Vetat : Gjyshja, Arbi, Nëna, Vjosa, Orgesi, daja
(Gjyshja përfundon bisedën në telefonin mobil. Bashkon duart në shenjë gëzimi dhe i drejtohet nipit i cili është duke i bërë detyrat në tavolinën e kuzhinës.)
Gjyshja: Arb, shpejt merre një laps dhe një fletore.
Nipi: Pse gjyshe, çfarë u bë?
Gjyshja: Asgjë shpirti i gjyshes. Do të marrim një specialitet nga ky emision në televizor që më pëlqen shumë. Hmmm, sa mirë që i përgatisin gjellët!
Nipi: Gjyshe, po pse pikërisht do ta bësh këtë specialitet, a mos ke parë ndonjë ëndërr ti?
Gjyshja: Ëndërr shihje ti mbrëmë seeee, tamam si ai djali në në filmin “ Beni ecën vetë” i thoshe dikujt ik, ik..ik , po kujt i thoshe ik, nuk e kuptova dot! (Qesh).
Nipi: Ti më mirë të ishe gjyshe e përrallave se sa të ishe gjyshja ime.
( pas pak) Gjyshe po gjellët tua t’i pëlqejnë të gjithë, bile edhe nëna , kudo që shkojmë u thotë të tjerëve,(ndryshon zërin) ’’Unë nuk ha gjithkund , unë ha vetëm gjellët e nënës sime”.
Gjyshja: Epo, sot do të jemi pak më të veçantë. Sapo më telefonoi daja. E paska dhënë provimin e diplomës… Me këtë rast dua që së bashku me ty t’ia përgatisim një gjellë të mirë. Se, atij i pëlqejnë të gjitha gjellët që ia përgatis unë, por sot dua bashkë me ty ta befasojmë. Hë, A do të më ndihmosh?
(Arbi nga gëzimi hedh poshtë tavolinës librin dhe fletoret. Ngatërrohet të gjejë fletoren, pastaj mezi e gjen edhe lapsin. Ulen të dy pranë televizorit. Gjyshja vendos syzet dhe bëhet sy e vesh së bashku me nipin).
Gjyshja: Ah, sa mirë! ( pasi rehatohet pak, pyet nipin). Mirë, do të marrim këtë me qofte. A jemi gati?
(Nipi, duke mos e pasur mendja tek gjyshja se është duke mprehur lapsin , tund kokën në shenjë pohimi). Ashtu pra! Shënoje! Gjysmë kilogrami mish i bluar .
Nipi: (Duke shkruar) Gjyyysmë kg miiish. (Arbi ngre kokën lart dhe si me habi pyet) Gjyshe a ke mish në frigorifer?
Gjyshja: ( Duke tundur kokën) Kemi, kemi, po ti shënoji me kujdes çfarëdo që të them unë.
Nipi: Mos ke merak gjyshe. Gjithmonë unë marr pesë kur kemi diktim.
Gjyshja: Dy thelpinj diktim.
Nipi: (Përsërit atë që shkruan në fletoren e tij.) Dy thelpinj diiii-ktiiiim.
Gjyshja: Dy lugë kos…
Nipi: Dy luuugëë ooos
Gjyshja: Një lugë kripë e gjellës…
Nipi: Një lugë gjellë.
Gjyshja: Një filxhan oriz… të përzihen mirë.
Nipi: Ani gjyshe, se i përziej unë, veç sa t’i shkruaj. Mos ke merak ti.
( Bie zilja e derës. Gjyshja heq syzet i lë mbi tavolinë dhe niset për a hapur derën).
Gjyshja: Arbi shiko, shiko se kush na kanë ardhur për drekë, duhet t’i trefishojmë shifrat. Shkruaji mirë! Oh, qenka nëna jote me dy pëllumbat e mi! Po hyni, hyni brenda më shpejt se nuk na premton koha.
Vjosa dhe Orgesi: (Përshëndesin gjyshen të gëzuar) Mirëdita gjyshe! (Vrapojnë për ta përqafuar.)
Gjyshja: Mirë se erdhët , pëllumbat e gjyshes!
Nëna: Ou! Po çfarë jeni duke na përgatitur sot ju të dy? (Nëna largohet nga kuzhina për të parë se çfarë po bëhet)
Arbi: Nënë, unë po i ndihmoj gjyshes për ta përgatitur drekën. Një drekë solemne me rastin e diplomimit të dajës.
(Nëna qesh.)
Gjyshja: Uluni, uluni! Mos e pengoni Arbin se jemi duke shkruar recetën nga televizori.
Nëna: Sa shumë qenke e gëzuar sot.
Gjyshja: S’po mund ta përmbledh dot vetveten. Mezi pres të më vijë në shtëpi. Arbi, mbarove ti me recetën?
Arbi: Po gjyshe të gjitha siç më ke porositur.
Gjyshja: E shumë mirë. Tani eja me mua në kuzhinë të më ndihmosh që ta bëjmë gati sa më shpejtë, daja veç sa nuk ka ardhur. (Arbi shkon në kuzhinë) E ju të tjerët mos u mërzitni, tani vijmë ne.
Nëna: Sa mirë që vëllai im më në fund paska diplomuar!
Gjyshja: Pse mendove se do t’i zgjaste punët sikur ti me vite të tëra?
Nëna: (Nëna qesh) Tani dua që ta gjej një nuse edhe…
(Në atë moment hyn Arbi me përparësen e vënë të gjyshes).
Vjosa: O kuzhinieri i vogël, ke kontrolluar në çantën time dhe paske ardhur këtu te gjyshja?! Po, mirë! Do të ta tregoj qefin kur të kthehemi në shtëpi. Por, aman mos na lërë pa drekë.
(Arbi siç ka në dorë një lugë të drunjtë e godet Vjosën lehtas në kokë vjedhurazi dhe ik sërish në kuzhinë, pas tij del edhe gjyshja. Dëgjohet zilja e derës)
Arbi : Më duket se është daja. (Shkon me vrap për ta hapur derën. Daja me një çantë në krah hyn i qeshur). E dajë urime! Se na tregoi gjyshja që paske diplomuar.
Daja: Ihhh! Sa më kanë lodhur profesorët. Jo kjo pse, po kjo pse? Thua që të gjitha paratë do t’ua marrë unë!
Nëna: Eeee urime, urime! Tani je një ekonomist prej vërteti.
Daja: Faleminderit motër, faleminderit Vjosa. Po gjyshja ku qenka?
( I drejtohet Vjosës).
Nëna: Ulu, ulu se tani vijnë, sa të mbarojnë së përgatituri drekën!
Daja: Ja sa ta takoj dhe po kthehem.
Vjosa: Nënë, a do t’ia tregosh qefin Arbit , edhe sot në mëngjes ma kishte kontrolluar çantën.
Nëna: Mirë se do t’i tregoj babait. Ti e din mirë se sa ia ka frikën atij.
(Hyn daja me Arbin)
Arbi: Do të ma blesh tani biçikletën pasi diplomove?
Daja: Do të hamë drekë e pastaj shohim e bëjmë?
Gjyshja: Ja edhe dreka ! Do t’i lëpini edhe gishtat se janë bërë këto qofte shumë të shijshme.
(Vjosa dhe nëna i ndihmojnë gjyshes për ta shtruar drekën.)
Arbi:Daje do të ma blesh apo jo biçikletën?
Daja: Të thash Arbi se do të drekojmë e pastaj…
Gjyshja: Ani, uluni të gjithë se do të drekojmë!
Daja:Ou! Po kjo na qenka drekë mbretërore me të gjitha këto specialitete!
Gjyshja: Dua që ti ta provosh i pari dhe të na thuash se ne dimë të bëjmë gjëra të mrekullueshme.
Daja : (Daja merr një qofte me pirun dhe e fut në gojë)
Po nuk e di… duket se është specialitet, sepse paska shume spec.
Gjyshja : E tjetër…?
Daja: Po një spec solemn.
Gjyshja: Ehe, po diçka tjetër?
Daja: Nënë , kësi specialiteti nuk paskam ngrënë kurrë.
Arbi: E, mor dajë edhe nuk po do me ma ble biçikletën a ?A po e sheh se çfarë gjelle të kemi bërë?
Daja: Po e shoh, po e shoh. Besa edhe po e shoh edhe po e shijoj.
Orges edhe ti Vjosa a nuk po keni dëshirë ta shijoni drekën e këtyre dy gjellbërësve. Vjosa. Këto qenkan qofte shumë të ëmbla. Sikur t’u ketë hedhur dikush sheqer.
(Arbi largohet nga tavolina. Gjyshja shikon Arbin , pastaj merr një qofte dhe e provon vet.)
Gjyshja: Mjera unë! Paskemi ngatërruar kripën me sheqerin. Arbi çfarë ke hedhur në mishin e bluar, kripë apo sheqer?
Arbi: (Arbi nxjerr recetën për të lexuar ). Në letër kam hedhur kripë , a në kuzhinë nuk e di a ka qenë kripë apo sheqer.
Daja: E kalaveshi dajës. Tash daja do t’ju nxjerr të gjithëve në foto me drekë solemne dhe solemnisht do të shkojmë të hamë drekë në restorant.
E ty Arb, biçikletën me ndonjë drekë tjetër solemne.

Published in: on Korrik 25, 2008 at 9:05 pm  Comments (13)  
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 26 ndjekësve të tjerë