Gjyshi im

Kurrë kravatë nuk vuri mbi xhaketë
Gjyshi im as në fundin e shekullit XX. 

La dasmat me nuset tekanjoze,
-Burrit, tha- s’i del fjala për një  pikë nervoze.  

Edhe pse shumë rrallë vinte gisht në letër
Çdo shpikje e re për të mbet e vjetër 

Mbi trupin e tij ranë shumë qeveri
Asnjërës gjyshi im s’i dha llogari.  

Me emra gjithfarësh s’u mor asnjëherë
E jetonte jetën, prej dimrit në verë. 

Sot kur gjyshi im më nuk rron në jetë
Shumë fjalë të tij emblemë më kanë mbet.

 

Published in: on Qershor 27, 2014 at 6:02 pm  Lini një Koment  

Sikur

Sikur në vendin tim
Të kishte më shumë Bozë se sa benzinë
Babit nuk do t’i ngrihej tensioni
Do t’i pushonte telefoni.
S’do të goditej televizioni
Do të shikohej pa sharje emisioni.

Sikur në vendin tim
Mjekët të merreshin me shërim,
Do të ishim populli më i shëndetshëm i planetit
Paratë babait nuk do t’i iknin prej xhepit.
Njerëzit do t’ia kicnin veshët lepurit
Dhe unë do të rritesha dy cm prej qejfit
Pa zhurmë,
pa zhurmë,
pa zhurmë
Me rehati, me fjalë të ëmbla, përkëdheli
Bile edhe në djep do të kisha bërë një nina- nani.

Sikur në vendin tim
Policët të ndiqnin çdo krim
Unë bashkë me ty do të bëhesha më trim
Bajlozin do ta ftonim ne dyluftim.

Sikur në vendin tim
Të kishte më pak hajni,
Në çdo pushim
Nuk do të rrinim pa çokollatë,
por me dy e tri.

Nëse në vendin tim, të shqipes së rreptë
Mësimet të thuhen sikur  të ishin rep
Çdo gjë të binte në vendin e vet.

Published in: on Qershor 27, 2014 at 5:22 pm  Lini një Koment  

Shkolla fillore

Shkolla fillore nuk është hajgare
Edhe pse është shkollë kryesisht pa pare,
Shumë pyetje ti bën kur je në këtë shkollë
Abc-ja jote të bën mendjehollë.

Mbledhjen edhe zbritjen ta kesh me merak,
Prodhimin e numrave duhet ta kesh n’gjak.
Pak edhe pjesëtimin domosdo e mëson
Dhe rrënjën katrore e nxjerr me digitron.

Për lëndët shoqërore nuk ka kurrë pushim
Për to ti mëson mëson edhe n’kampfushim
Janë pak stresuese, befasuese, relaxuese,
Por në fund të fundit ti do jesh fituese.

Published in: on Qershor 27, 2014 at 3:23 pm  Lini një Koment  

Gjarpri kular

Kur vizatuan gjarprin e shtëpisë
Thash se mos dora e tyre po gabon,
U habita sa kisha frikë prej habisë
Se mos ilirët gjarprin e bënin Piton.

Dhe vazhduan kështu ta vizatonin
Gjarprin kular kudo nëpër shtëpi,
Asnjë nga ta nuk e ngriti kokën
Ta kafshojë qoftë edhe një fëmijë.

Kular në prag, kular në dyshek
Gjarpri i ilirëve flinte në jastëk.
Po kjo punë e gjarprit  s’ka pse të tmerron
Lojën me këtë kafshë e ke në telefon.

Published in: on Qershor 19, 2014 at 1:43 pm  Lini një Koment  

Vjershat e javës

Vjersha që lindi ditën e hënë
pranoi të më ketë baba edhe nënë,
por nëse e them këtë pak më ndryshe
vjersha më pranoi për gjysh edhe gjyshe.

Vjersha që lindi ditën e martë
doli të jetë pakës më e gjatë,
por kur filloi djepi t’i binte pak ngushtë
Vjershën nisa ta zvogëloj në grusht.

Vjersha e ditës së mërkurë
Lindi kryeneçe s’e mësova kurrë.
Shkrova dhe fshiva mbi trupin e saj,
nuk kishte gëzim, as këngë dhe as vaj.

Vjersha e ditës së enjte
herë vlonte herë ziente,
s’e dija çfarë donte e gjora vjershë
S’e dija çfarë t’i thosha në vesh.

Vjersha e së premtes me temperaturë
Më lindi ashtu papritmas në udhë,
S’erdhi ambulanca as dhe një doktor
Më vonë e shërova unë në kompjutor.

Pse ia fusni kot, vjershat kështu lindin?
PO!- dhe për fundjavë mund ta bëjnë pushim,
Po nuk më besuat provoni, ju bindin
Se vjersha nga ditët na jep një kuptim.

Published in: on Mars 31, 2014 at 8:12 pm  Comments (1)  

Vjersha e popullit tim

Është apo s’është çorape e arnuar
e leshtë, e bardhë,
si drenushë e vrarë,
vjersha e përgjysmuar?

Është apo s’është rrugicë pa ndriçim
mbrëmjeve vonë
kur s’njeh të zonë,
vjersha në harrim?

Është apo s’është krejt shqiptare
me të folme të re
dhe me paskajore,
vjersha kosovare?

Është apo s’është urim e mallkim
Një varg më shumë
I hedhur në lumë,
Vjersha e popullit tim?

Published in: on Mars 31, 2014 at 8:11 pm  Lini një Koment  

VJERSHAT E POETËVE

Sa herë më merr malli, them vargjet e tyre
Dhe mbushem e mbushem përplot dashuri
Them vargjet e tyre kur bëhem i madh
Dhe dua të jem përsëri fëmijë.

Për ta galaktika ish një arrë e vogël
Arrë e papjekur që rri varur në degë,
Ndërsa tërë planeti vetëm një gogël
E fshehur pas gjethes së blertë.

Vjershat e poetëve si një gurë mulliri
Ku secilën fjalë me durim e bluajnë
Pastaj të tjerë njerëz miellin e zënë
Me të fjalë të bardha gatuajnë

Published in: on Mars 31, 2014 at 8:08 pm  Lini një Koment  

Nëna më dërgoi në market

Nëna më dërgoi një ditë
tri bukë t’i blej në market,
e në shtëpi unë u ktheva
me një këlysh dhe një gjevrek.

Me një lëpirëse në gojë
plot xhepat çokollatë,
me macen që e pash në lojë
dhe po bënte gallatë.

Sapo hapa derën e banesës
këlyshi vrapoi mbi kolltuk,
tepihu i leshtë nga dyqani i Lesnës
menjëherë u bë si ujk.

Nëna kur e pa ashtu shtëpinë
filloi të bërtasë pa pushim,
por më kurrë, kurrë nuk më dërgoi
në market të blej ushqim.

Published in: on Mars 8, 2014 at 9:43 pm  Lini një Koment  

Vjersha për nënën

Originally posted on Letërsi:

MËSUESJA NA THA
TË GJENIM NJË VJERSHË,
NJE VJERSHË PËR NËNËN,
TË VOGËL, TË THJESHTË.

SHUMË U MUNDOVA
PO VJERSHËN S’E GJETA,
AS NË INTERNET
DHE AS NË GAZETA.

VËLLAI MË THA
KURRË S’KE ME E GJETË,
VJERSHËN PËR NËNËN
DUHET TA BËSH VET.

VJERSHËN E NISA ME EMRIN NËNË,
PASTAJ DY FJALË DIELL EDHE HËNË,
NJË BUQETË ME LULE DHE FJALËN TI,
DY PËRQAFIME DHE SHUMË DASHURI.

Musa Bushrani

View original

Published in: on Shkurt 27, 2014 at 9:42 pm  Lini një Koment  

Gjethja ëndërrimtare

Gjethja ëndërrimtare

 

Një gjethe e verdhë pa rënë nga dega
nis e u thotë shoqeve të veta:
– “Jo, s’dua të këputem, të bie në tokë,
t’më mbledhin me fshesë, t’më hedhin  në shportë”.

- “Dimrit e vetme, çfarë do bësh pastaj?
I thanë shoqet tjera nga toka asaj.
– “Dua të qëndroj deri në pranverë,
ta gëzoj pranverën n’mot edhe një herë”.

- “Kjo që thua ti, është e padëgjuar,
e papërsëritshme, gjë shumë e ngatërruar.
Ne të sojit tonë çelim edhe biem,
asnjëherë dimrin nuk e kapërcyem”.

- “Kjo është fjala ime, e gjethes së fortë,
dua të qëndroj dhe jo të bëhem trok…”.
Ende pa mbaruar mendimin në kokë
fryni erë e madhe, e hodhi në tokë.

Published in: on Tetor 24, 2013 at 9:48 pm  Comments (1)  
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 26 ndjekësve të tjerë