Vjersha që lindi ditën e hënë
pranoi të më ketë baba edhe nënë,
por nëse e them këtë pak më ndryshe
vjersha më pranoi për gjysh edhe gjyshe.
Vjersha që lindi ditën e martë
doli të jetë pakës më e gjatë,
por kur filloi djepi t’i binte pak ngushtë
Vjershën nisa ta zvogëloj në grusht.
Vjersha e ditës së mërkurë
Lindi kryeneçe s’e mësova kurrë.
Shkrova dhe fshiva mbi trupin e saj,
nuk kishte gëzim, as këngë dhe as vaj.
Vjersha e ditës së enjte
herë vlonte herë ziente,
s’e dija çfarë donte e gjora vjershë
S’e dija çfarë t’i thosha në vesh.
Vjersha e së premtes me temperaturë
Më lindi ashtu papritmas në udhë,
S’erdhi ambulanca as dhe një doktor
Më vonë e shërova unë në kompjutor.
Pse ia fusni kot, vjershat kështu lindin?
PO!- dhe për fundjavë mund ta bëjnë pushim,
Po nuk më besuat provoni, ju bindin
Se vjersha nga ditët na jep një kuptim.