ëndërrishte

Se nga i bie fundërrinës së kujtimit tonë motak
Engjëllor më kall tek buzët tek këta sy të zi lotak

Se nga vije hije- hije ëndërrishtes mu ai rremb
Më përplas në ngjyrë të dhimbjes më ngre lartë edhe më shemb

Shkel përrallshëm përmbi ballë më rrin shlirshëm përmbi erë
Rremb i flokut të palarë si ma gjen të shkretën derë

Vije dehur në mes gjinjësh dhe më deh mua më fort
Si u dashka që të humbem dhe të gjendem prap o Zot

Si më zhvesh në mes të dimrit dhe më vesh në pikë të vapës
Si më ndez në fushkë të zemrës merr më shuan n’dritë të flakës

Më mban peng hi të gjallë peng të gjallë sa kaq të lirë
Tej-përtej ku s’ka më fjalë s’ka më puthje lamtunirë

Më tjerr zërin më herrë sytë më lidh çapet gjithandej
Ç’do që më ulesh rëndë në grykë sa më vije të shpërthej

Më troket këtu përbrenda më troket troket troket
Më gris heshtjen e palarë më gris zërin më thërret

Published in: on Korrik 26, 2008 at 2:50 pm Lini një Koment

The URI to TrackBack this entry is: http://lumbardhi.wordpress.com/2008/07/26/enderrishte/trackback/

Prurje RSS për komente në këtë postim.

Leave a Comment